Netanyahu paralajmëron Iranin: “Do të paguajë çmim të lartë për sulmet ndaj civilëve”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit iraniane, të cilat goditën zona të banuara në qytetin bregdetar Bat Yam, duke lënë pas viktima në radhët e civilëve.
Në një deklaratë të dhënë nga vendngjarja, Netanyahu i cilësoi sulmet si një “kërcënim ekzistencial” për shtetin e Izraelit dhe deklaroi se vendi po përballet me një “luftë shpëtimi” për të ndalur, sipas tij, agresionin e koordinuar iranian.
“Irani do të paguajë një çmim shumë të lartë për vrasjen e civilëve, grave dhe fëmijëve,” tha Netanyahu, duke akuzuar drejtpërdrejt regjimin iranian për shënjestrim të qëllimshëm të popullatës civile.
Ai shtoi se përgjigjja izraelite do të jetë vendimtare:
“Ne do të arrijmë qëllimin tonë dhe do t’i godasim me një goditje të vetme.”
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, gjatë 24 orëve të fundit 12 persona kanë humbur jetën, duke e çuar në 15 numrin e përgjithshëm të viktimave izraelite, që nga nisja e sulmeve hakmarrëse iraniane.
Situata në rajon mbetet kritike, me tensione të rritura dhe një rrezik real për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.