Energjia e së ardhmes

Energjia nuk është thjesht çështje teknologjie. Ajo është mënyra se si një shoqëri organizon të ardhmen e vet. Shqipëria ndodhet në një pozicion të veçantë: ka burime natyrore të bollshme dhe teknologji gjithnjë e më të përballueshme për t’i shfrytëzuar ato. Pyetja nuk është më nëse mundet, por si mundet të bëhet më mirë.
Hidroenergjia mbetet një bazë e rëndësishme. Përvoja ka treguar se projektet e planifikuara me kujdes, të ndërtuara mbi analiza shkencore dhe menaxhim profesional, mund të ofrojnë prodhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Diversifikimi i kapaciteteve dhe përdorimi i teknologjive moderne për monitorim dhe eficiencë e bën këtë burim më të parashikueshëm dhe më të sigurt.
Energjia diellore ofron një tjetër dimension. Shqipëria ka një avantazh natyror të qartë në orët e diellit, dhe teknologjia fotovoltaike sot lejon zgjidhje fleksibile: nga instalimet e vogla për biznese dhe komunitete, deri te fermat më të mëdha prodhuese. Kur investimi bazohet në studime reale fizike dhe financiare, dielli kthehet nga potencial në aset.
Energjia eolike plotëson këtë mozaik. Zonat bregdetare dhe ato malore ofrojnë kushte të favorshme për prodhim, por suksesi i këtyre projekteve varet nga matjet afatgjata, planifikimi hapësinor dhe respektimi i mjedisit. Këtu shkenca luan rol vendimtar: sa më i saktë modeli, aq më i qëndrueshëm investimi.
Një politikë energjie e qëndrueshme ndërtohet mbi balancë. Balancë mes burimeve, mes riskut dhe përfitimit, mes nevojave ekonomike dhe atyre mjedisore. Ajo nuk kërkon receta universale, por zgjidhje të përshtatura për terrenin, klimën dhe tregun.
Këshilla themelore për zhvillimin e energjisë është e thjeshtë:
të mendohet afatgjatë. Projektet energjetike nuk japin fryte brenda natës. Ato kërkojnë durim, disiplinë financiare dhe respekt për të dhënat shkencore. Kur vendimet merren mbi baza reale dhe jo mbi entuziazëm momental, energjia bëhet faktor stabiliteti.
Energjia e së ardhmes për Shqipërinë nuk është zgjedhje mes hidro, diellore apo eolike. Është bashkëjetesa e tyre në një sistem fleksibël dhe eficient. Një sistem që ul pasiguritë, rrit prodhimin dhe krijon hapësirë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Preng Macaj
