Kur besa shpëtoi jetë: shqiptarët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Mësimet më të mëdha që njerëzimi nxjerr vijnë nga historia. Një nga këto mësime të fuqishme vjen nga një popull i vogël me zemër të madhe: shqiptarët.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli më i varfër i Evropës dëshmoi se zotëronte pasurinë më të madhe nga të gjitha pasurinë shpirtërore.Shqiptarët, të cilët sapo kishin dalë nga Perandoria Osmane, u treguan një kundërshtar i fortë për gjermanët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me krahët hapur si shqiponja, shqiptarët arritën të shpëtojnë qindra hebrenj. Shqiptarë myslimanë, të krishterë dhe ateistë qëndruan së bashku dhe i dhanë besën popullit më të përndjekur në botë në atë kohë.Besa është një fjalë e panjohur për shumëkënd në botë, por sapo jepet, ajo nuk thyhet kurrë. Premtimi që shqiptarët u dhanë hebrenjve shpëtoi qindra jetë njerëzish dhe parandaloi derdhjen e mijëra lotëve. Shqiptarët shpëtuan të paktën 3 280 hebrenj gjatë Holokaustit. Midis viteve 1933 dhe 1944, Shqipëria mbrojti jo vetëm popullsinë e vet hebraike, por edhe të gjithë ata hebrenj që arritën të vinin në Shqipëri nga vende të tjera evropiane.Është mbresëlënëse se si një komb kaq i vogël mund t’i japë botës një mësim kaq të madh.Shqipëria, kryesisht myslimane, kishte rreth 200 hebrenj kur Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani në vitin 1933. Vetëm pesë hebrenj shqiptarë, të gjithë nga e njëjta familje, humbën jetën gjatë Holokaustit.Përveç mbrojtjes së hebrenjve brenda Shqipërisë, shqiptarët ofruan strehë për qindra hebrenj nga pjesë të tjera të Evropës, veçanërisht nga Jugosllavia e pushtuar nga nazistët. Shumica e atyre që kërkonin mbrojtje hynë në Shqipëri përmes Kosovës.Një shembull që duhet përmendur është Arslan Rezniqi, një tregtar nga Deçani i Kosovës. Përmes kontakteve të tij në të dy anët e kufirit, u gjetën mënyra për të transportuar fshehurazi hebrenjtë drejt Shqipërisë, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin italian.Gjurmë të këtyre shpëtimeve gjenden në qytete dhe fshatra si Mitrovica, Prishtina, Gjilani, Deçani, Peja, Gjakova, Shkodra, Kruja, Tirana, Berati, Kavaja, Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Korça, Dibra, Burreli, Fieri, Lushnja, Vlora, Delvina, Përmeti, Gjirokastra dhe shumë të tjera.Hebrenjtë u drejtuan drejt Shqipërisë dhe trojeve shqiptare sepse e dinin se atje nuk kishte përndjekje, as nga populli dhe as nga qeveria. Nuk kishte diskriminim fetar apo kombëtar, nuk kishte gjenocid ndaj popujve të tjerë. Shqipëria ishte një strehë e sigurt.Shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë pa interes personal, pa kushte, pa kërkuar fitim apo shpërblim, dhe gjithmonë duke mbrojtur identitetin e tyre. Hebrenjtë që qëndruan në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore lanë gjurmën e tyre në fusha të ndryshme të jetës shqiptare dhe kujtohen me respekt.Shqiptarët myslimanë, të krishterë dhe ateistë nuk pyetën nëse duhej të kishin frikë apo nëse ishin të varfër ata thjesht vepruan si qenie njerëzore.Ky mësim mbetet i vlefshëm edhe sot, në një kohë kur bota po shkon drejt një gjendjeje të trazuar, kur shumë vlera njerëzore po zhduken dhe kur po harrojmë se jemi qenie njerëzore, duke u shndërruar në makina pa shpirt.
Preng Macaj
