Shqipëria në tkurrje: Tirana qëndron, pjesa tjetër humbet

cmp3.14.14.72670860q4 0x01d910a4

Tirana, qershor 2025 – Shqipëria po përjeton një tkurrje të përshpejtuar demografike, me përjashtim të kryeqytetit, i cili vijon të thithë fluksin e migrimit të brendshëm. Të dhënat e fundit nga Censi i vitit 2023 dhe projekti i parashikimeve për vitin 2025 e konfirmojnë trendin alarmues të rënies së popullsisë në 11 nga 12 qarqet e vendit.

Sipas statistikave zyrtare, nga 2.4 milionë banorë në vitin 2023, Shqipëria pritet të zbresë në 2.36 milionë deri në fund të vitit 2025 – një humbje kumulative prej rreth 38,800 banorësh në vetëm dy vite. Ritmi i tkurrjes është gjithashtu në rritje: nga -0.5% në vitin 2024, në -1.2% më 2025, duke sinjalizuar një përkeqësim të përshpejtuar të situatës demografike.

Tirana, streha e vetme demografike

Tirana është i vetmi qark që shënon një rritje modeste, duke kaluar nga 758,513 banorë në vitin 2023 në 759,981 më 2025. Rritja prej afërsisht 1,500 banorësh, megjithëse simbolike, mjafton për të konsoliduar rolin e kryeqytetit si qendër gravitacionale e migrimit të brendshëm, që kompenson disi humbjet nga emigracioni ndërkombëtar.

Veri e Jug në zbrazje të ngadaltë por të pandalshme

Shkodra është qarku me rënien më të madhe relative – mbi 3% në dy vite, që përkthehet në rreth 5,000 banorë më pak. Kukësi, Dibra dhe Lezha ndjekin me ritme të ngjashme, të ndikuar nga mungesa e mundësive ekonomike dhe zhvillimi i pabarabartë rajonal, duke reflektuar një valë të vonuar emigrimi në krahasim me pjesën tjetër të vendit.

Jug, qarqe si Gjirokastra, Korça dhe Fieri po vuajnë nga emigracioni tradicional dhe plakja e popullsisë, me rënie që variojnë nga 2.5% në 3%. Ndërkohë, në Elbasan dhe Vlorë tkurrja është më e moderuar, por sërish në rënie të vazhdueshme.

Rritje presioni në Tiranë, mbyllje shkollash në qarqe

Përqendrimi i popullsisë në Tiranë po sjell rritje të ndjeshme të presionit mbi shërbimet publike, infrastrukturën dhe strehimin, ndërsa në qarqet e tjera shkollat po mbyllen dhe pabarazitë sociale thellohen.

Ekspertët paralajmërojnë se pa shpërndarje të balancuar të investimeve dhe pa politika efektive për rigjallërimin e zonave të braktisura, vendi rrezikon të përballet me një cikël të zgjatur plakjeje dhe emigrimi, që do të thellojë më tej pabarazitë ekonomike dhe sociale./Monitor