Kimia drejt shuarjes dhe bashkë me të, një pjesë e Shqipërisë

Si ish-student i Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ndiej një keqardhje të thellë kur shoh se programi ku u formuam dikur dhjetëra të rinj po shkon drejt shuarjes. Kur unë nisa studimet në vitin 2018, ishim 86 studentë në vitin e parë. Sot, në vitin 2025, janë regjistruar vetëm pesë.
Pse? Çfarë ndodhi me një nga degët themelore të zhvillimit shkencor?
1. Politikat shtetërore rrënja e krizës
E para dhe ndoshta më e rëndësishmja, është politika shtetërore e ndjekur ndër vite. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë lejuar që fabrikat, laboratorët dhe institutet kërkimore të mbyllen, duke lënë pas vetes një boshllëk të madh profesional.
Kështu, shumë studentë që përfundojnë kimisë sot, përballen me papunësi, ose me vite të tëra pune nën pagë minimale. Deri para pak vitesh, nuk kishte asnjë grant apo stimul financiar për të tërhequr të rinjtë drejt këtij programi.
Nëse shikon vende fqinje si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Serbia, sheh një realitet tjetër: bursa shtetërore, partneritete me industri, dhe zyra punësimi që lidhin studentët me tregun që në fazën e studimeve.
2. Kriza akademike dhe morale brenda fakultetit
Por faji nuk qëndron vetëm te shteti. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vetë sistemin universitar.
Në shumë raste, programi nuk është plotësisht i akredituar ndërkombëtarisht, duke e bërë të vështirë që një student i kimisë të vazhdojë karrierën në Europë apo SHBA pa bërë një master të dytë ose provime shtesë.
Për më tepër, atmosfera akademike brenda departamentit shpesh ka qenë e rëndë. Në vend që fakulteti të ishte një hapësirë frymëzimi dhe dijesh, shumë studentë janë përballur me arrogancë, stres të panevojshëm dhe mësimdhënie të shkëputur nga realiteti i tregut të punës.
Kjo ka bërë që breza të tërë studentësh, të zhgënjyer, t’u thonë brezave pasardhës: “Mos shko në kimi, do humbasësh kohën.” Dhe kështu, programi u zbeh, vit pas viti.
Është e dhimbshme të mendosh se kimia, një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik e teknologjik në çdo vend të botës, në Shqipëri po shuhet ngadalë.
Është një paradoks i vërtetë: ndërsa bota ecën drejt inovacionit, laboratorëve dhe kërkimit, ne po e lëmë të shuhet një degë që mund të ishte motori i prodhimit, industrisë dhe bujqësisë moderne.
Nëse kimia shuhet, humbet jo vetëm një program studimi humbet një pjesë e identitetit shkencor të vendit.
A mund te behet ndonje gjë?
Po, mundet. Por vetëm nëse nis një ndryshim rrënjësor:
Rishikim i politikave qeveritare, me mbështetje reale për studentët e shkencave natyrore, jo thërrime simbolike.
Krijimi i zyrave të punës që lidhin studentët me laboratorë, kompani dhe projekte kërkimore.
Reformë e brendshme akademike, ku të mbështeten profesorët që i kanë kushtuar jetën shkencës, dhe të mos lejohen më praktika që dekurajojnë studentët.
Fakulteti i Shkencave të Natyrës duhet të jetë një vend që prodhon shpresë, dije dhe dinjitet, jo zhgënjim.
Sepse kimia nuk është thjesht një degë është themeli i zhvillimit ekonomik të çdo kombi.
Nëse lejojmë që ajo të shuhet, atëherë po shuajmë ngadalë edhe të ardhmen e Shqipërisë.



Preng Macaj