Këshilli i Senatorëve, risia që po forcon rolin e studentëve në jetën universitare

Ka diçka të re që po lëviz në Universitetin e Tiranës. Nuk është thjesht një risi, as një tjetër projekt që nis dhe shuhet në zhurmën e rutinës akademike. Është një frymë. Një mënyrë e re për të qenë student, për të marrë përgjegjësi, për të mos pranuar të heshtësh kur diçka nuk shkon.
Dhe këtë frymë po e sjellin senatorët e UT-së ,ata që vendosën të mos jenë spektatorë, por pjesë e skenës.
Në një universitet ku shpesh fjala “përfaqësim” ka humbur kuptimin, ata po i rikthejnë zë dhe kuptim. Me nisma të reja, me ide të guximshme, ata po krijojnë ura atje ku për vite ka patur mure.
Krijimi i Këshillit të Senatorëve një strukturë joformale, por me ndikim real është dëshmia e parë e kësaj fryme. Një hap që shkon përtej simbolikës: ai e fut studentin në tryezën e vendimmarrjes, aty ku zakonisht nuk ulej askush në emër të tij.
Ata takohen, dëgjojnë, pyesin, propozojnë.
Konsultohen me studentët, flasin me drejtuesit, dhe mbi të gjitha, nuk kanë frikë të kërkojnë më shumë. Më shumë transparencë. Më shumë përfshirje. Më shumë përgjegjësi nga të gjithë edhe nga vetë studentët.
Sepse, në fund të fundit, një universitet nuk ndërtohet me heshtje. Ai ndërtohet me zëra që guxojnë të kërkojnë ndryshim.
Kjo që po ndodh në Universitetin e Tiranës nuk është thjesht një nismë studentore. Është një shenjë zgjuarje, një kthesë e vogël, por e thellë.
Një brez që po rritet jo për t’u përshtatur, por për të pyetur: “Pse jo ndryshe?”
Dhe ndoshta, kjo është mënyra e vetme për të ringjallur shpirtin e një universiteti kur studentët e tij kuptojnë se ndryshimi nuk vjen nga lart, por nga vetë ata që nuk pranojnë të rrinë ulur në heshtje.

Preng Macaj
Ersi Qazolli