Arsimi dhe karriera sa vështirë është për një djalë të krijojë të ardhme në Shqipëri

Ka një moment në jetën e çdo djali shqiptar kur ai ndalon, shikon rreth vetes dhe pyet: “Ku po shkoj?” Është një pyetje e thjeshtë, por që peshon sa një gur në shpirt. Sepse për ta gjetur përgjigjen, duhet të kalosh përmes një labirinti të quajtur arsim dhe një tjetër më të errët, të quajtur treg pune.
Në Shqipëri, një djalë që kërkon të ndërtojë të ardhmen e tij përballet me një paradoks të egër. I thuhet se arsimi është çelësi i suksesit, por kur del nga universiteti me një diplomë në dorë, kuptimi i fjalës “çelës” ndryshon: është çelësi që hap derën e emigrimit. Sepse këtu, për shumë të rinj, dera e karrierës është e mbyllur me dry të ndryshkur. Jo nga mungesa e talentit, por nga mungesa e mundësive, nga korrupsioni, nga indiferenca e një sistemi që shpesh nuk di as të të dëgjojë, e jo më të të vlerësojë.
Shkollat janë plot me teori, me libra të vjetër dhe me mësues që janë lodhur nga një sistem që nuk i respekton. Universitetet, shpesh, janë fabrika diplomash që prodhojnë shpresa të thyera. Dhe pastaj, kur del në botën e “të rriturve”, të pret një realitet që të godet si shuplakë: punë që kërkojnë “eksperiencë pesëvjeçare” për një vend praktikanti, paga që nuk mjaftojnë as për qiranë, e një kulturë ku miqësia vlen më shumë se meritokracia.
Në këtë vend, një djalë që punon ndershëm shpesh duket naiv. Sepse sistemi e mëson se rruga më e shkurtër drejt suksesit nuk është dija, por lidhja; jo përkushtimi, por kompromisi. Dhe megjithatë, ka ende nga ata që nuk dorëzohen që studiojnë natën, punojnë ditën, që e mbajnë gjallë shpresën se një ditë diçka do të ndryshojë. Ata janë heronjtë e heshtur të një Shqipërie që ende kërkon të bëhet.
Por pyetja mbetet: sa gjatë mund të jetojë shpresa në një vend ku ëndrrat maten me euro, jo me ide? Dhe deri kur do të pranojmë që djemtë tanë të mësojnë vetëm për të ikur?
Ndoshta e ardhmja nuk është as në arsim, as në karrierë, por në guximin për të mos pranuar më një realitet të padrejtë.
Shkruar nga Preng Macaj