Atdhedashuria në Shqipëri ndërmjet fjalës dhe veprës

Ka një fjalë që dikur ndezte zemra, ndërsa sot duket sikur humbet mes zhurmës së përditshme: atdhedashuria. Një fjalë e madhe, e rëndë, por që sot shpesh e përdorim lehtë, pa menduar çfarë mbart. E përmendim në përvjetorë, në festa, në statuse patriotike në rrjete sociale e pastaj e harrojmë sapo mbaron kënga e flamurit.
Por unë pyes: a e duam vërtet Shqipërinë? Apo duam vetëm idenë e saj, po jo realitetin e saj të vështirë?

Shqiptarët janë popull me histori të lavdishme, me gjak të derdhur për liri, me figura që e nderuan botën. Por lavdia e së kaluarës nuk mjafton më. Atdhedashuria nuk është vetëm kujtim, është detyrim. Dhe ne, shumë shpesh, po e tradhtojmë këtë dashuri me heshtjen tonë, me neglizhencën tonë, me mënyrën si e trajtojmë vendin që na dha gjithçka.

Në Shqipëri sot flitet shumë për patriotizëm, por veprohet pak për të. Atdhedashuria nuk është flamuri që valëvitet në ballkon një ditë në vit. Nuk është fjalimi që përmend “gjyshërit që luftuan për liri”. Nuk është as kënga folklorike që na bën të lotojmë për pak minuta.
Atdhedashuria e vërtetë është kur nuk e hedh mbeturinën në rrugë, kur nuk e betonon lumin, kur nuk e shkatërron malin për një fitim të vogël. Është kur nuk vjedh, kur respekton ligjin, kur paguan taksat, kur nuk kërkon favore e nuk pranon padrejtësi.
Atdhedashuria është kur punon ndershëm, kur mbron të dobëtin, kur kërkon të drejtën pa frikë, kur e ndjen dhimbjen e këtij vendi si dhimbjen tënde.

Në vendin tonë, fatkeqësisht, shpesh dashuria për atdheun matet me fjalë të bukura, ndërsa përditshmëria jonë tregon të kundërtën. Kemi mësuar të kritikojmë Shqipërinë si të mos ishte e jona, si të ishte një vend i huaj që na pengon. Por Shqipëria nuk është fajtore. Fajtorë jemi ne që e ndotim, e mashtrojmë, e përbuzim, dhe më pas ankojmë se nuk na jep asgjë.
Çdo herë që dikush shkel ligjin, që ndërton pa leje, që korrupton apo pranon të korruptohet, që lë plehra në natyrë  në atë moment ai e tradhton atdheun. Sepse atdheu nuk është një simbol i paarritshëm, por një pasuri e përbashkët që kërkon kujdes, si një fëmijë që duhet rritur.

Shpesh e justifikojmë veten me fjalinë: “të gjithë kështu bëjnë”. Por pikërisht aty humbet atdhedashuria  kur ndalojmë së ndjeri përgjegjësi. Atdhedashuria nuk është kolektive vetëm në teori; ajo fillon tek unë, tek ti, tek ne. Ajo jeton në gjestin më të vogël: në mënyrën si sillet qytetari me qytetin e tij, si ruan pasurinë publike, si respekton rregullin edhe kur askush nuk e sheh.

Atdheu nuk të kërkon heroizma, as sakrifica të mëdha si dikur. Të kërkon vetëm ndërgjegje. Të kërkon të mos e lësh të fundoset në duart e neglizhencës.
Të kërkon dashuri aktive  jo emocione të përkohshme, por përgjegjësi të përditshme. Sepse në fund, nuk janë fjalët që e mbajnë gjallë një vend, por veprimet. Dhe një popull që harron ta respektojë tokën ku jeton, ligjin që e mbron dhe njerëzit që e rrethojnë nuk është më një popull patriotësh, por një popull që e ka humbur shpirtin.

E ndoshta, atdhedashuria e vërtetë sot nuk është të thuash “rroftë Shqipëria“, por të thuash “rroftë ndershmëria”. Të thuash “rroftë përgjegjësia”. Sepse vetëm atëherë, kur secili prej nesh të ndjejë detyrë ndaj këtij vendi  të vogël, të brishtë, por të shenjtë atëherë Shqipëria do të jetë vërtet e lirë, e pastër dhe e dashur për t’u jetuar.



Preng Macaj