Nga ara në tryezë: sa të sigurta janë produktet ushqimore që konsumojmë në Shqipëri?

Kur ndjek lajmet për sigurinë ushqimore në Shqipëri, një pyetje imediate më vjen ndërmend: sa të sigurta janë vërtet produktet që shkojnë në tryezën tonë? Si kimist, nuk mund të mos habitem kur shoh në raportime përdorim të tepërt apo të pa pakontrolluar të pesticideve në bujqësi e mungesë transparence të analizave. E di mirë sesa keq është gjendja dhe mjafton të shohim statistikën e sëmundjeve në Shqipëri, krahasuar me popullsinë, për të kuptuar që nuk kemi luksin e indiferencës.
Fillimisht, duhet të themi që ka përpjekje institucionale për shembull, përgatitja e Planit Kombëtar për Përdorimin e Qëndrueshëm të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve për vitet 2022–2032, bashkëpunim me FAO.
Por ndërkohë realiteti flet ndryshe: kontrolle të dobëta, përdorim i lëndëve të palejuara, mostrat që dalin mbi normë dhe rezultati është rreziku i konsumatorit.
Për shembull: Një investigim tregon se vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2025 janë identifikuar 23 dërgesa produktesh me pesticide mbi normë në kufijtë e BE-s nga Shqipëria, kryesisht speca, domate. Po ashtu, një raport thekson: prodhimet shqiptare janë nën “vëzhgim të rreptë” për mbetje pesticidësh.
Mbetjet e pesticideve në tokë janë gjithashtu problem: një studim i fundit i përkohshëm për tokat bujqësore në Shqipëri gjeti përqendrime shqetësuese.
Me fjalë të tjera: përtej deklarimeve, funksionaliteti i sistemit të sigurisë ushqimore është ende i brishtë.
Në aspektin kimik dhe toksikologjik, përdorimi jo i kontrolluar i pesticideve sjell rreziqe të qarta.
Për shembull, për një nga rastet: në një analizë për produktet shqiptare u gjetën përqendrime të lëndës aktives Chlorpyrifos 0.06 mg/kg, ndërsa norma e lejuar ishte 0.01 mg/kg — ky është një rrezik i dokumentuar për fëmijët dhe zhvillimin nervor.
Në analizat e tokës: studimi i sapopërmendur nxjerr në pah “hapësira të ndryshme gjeografike ku mbetjet pesticide janë më të larta” kjo do të thotë që përdorimi dhe degradimi nuk janë monitoruar si duhet.
Mbi të gjitha, sistemi i inspektimit ka mangësi: artikuj të ndryshëm theksojnë se në Shqipëri përdoren pesticide të skaduara, të palicencuara në BE.
E pra, kur kemi një produkt që ka kaluar nga ferma në treg pa garantuar se periudha e sigurisë është respektuar, atëherë konsumatori është i ekspozuar.
Ndërkohë që në Shqipëri mungojnë studime të hollësishme që të lidhin direkt përdorimin e pesticideve me incidencën e sëmundjeve, disa indikacione janë shqetësuese. Një studim pilot për “ngarkesën e sëmundjeve ushqimore” vlerëson se çdo vit në Shqipëri mund të ketë rreth 56 000 raste të gastroenteritit që lidhen me ushqimin. Një pjesë që nuk është e ndarë sipas shkaktarëve, por në një sistem ku kontrollet nuk janë plotësuar, mbetet e arsyeshme të mendojmë se pesticidet janë faktor domethënës.
Sidoqoftë,ekspertët për pesticidet tregojnë: që ekspozimi i vazhduar edhe në nivele “të ulëta”mund të shkaktojë efekte kronike si imunitet i ulët, çrregullime hormonale, alergji etj.
Në Shqipëri, flasim për çdo gjë për politikë, për futboll, për çmime, për krizë por shumë rrallë për atë që na mban gjallë: ushqimin. Dhe kur flasim për të, shpesh e bëjmë me një vetëkënaqësi të rreme, si të ishim vendi më bujqësor në rajon. Po në fakt, e vërteta është se nuk dimë çfarë hamë.
Por në fund të ditës, përgjegjësia është e të gjithëve. E fermerit që spërkat pa masë. E shtetit që nuk kontrollon. E konsumatorit që nuk pyet. Sepse shëndeti nuk është luks është detyrë. Dhe ushqimi që hamë nuk është çështje mode, por çështje mbijetese.
Preng Macaj
