Zjarr pranë Qendrës Rezidenciale “Lira” në Berat: Dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Një incident shqetësues ka ndodhur sot në afërsi të Qendrës Rezidenciale “Lira” në qytetin e Beratit, ku strehohen persona me aftësi të kufizuara. Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vendosur dhe më pas kanë djegur disa goma pranë ambjenteve të kësaj qendre.
Sipas njoftimit të bërë nga edukatorja e institucionit, në vendngjarje ndërhynë me shpejtësi shërbimet zjarrfikëse, të cilat arritën të lokalizojnë dhe shuan flakët përpara se të përhapeshin në strukturat përreth. Fatmirësisht, nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.
Megjithatë, zjarri shkaktoi një ndotje të dukshme mjedisore, pasi retë e zeza të tymit mbuluan zonën, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe veçanërisht të banorëve të qendrës.
Burime nga Policia e Beratit konfirmuan se ka nisur hetimi për identifikimin dhe ndalimin e autorit ose autorëve, ndërsa ngjarja është cilësuar si një akt me rrezik të lartë për komunitetin dhe mjedisin.