Shqipëria dhe Europa, sa larg njëra-tjetrës dhe vetes?

Një vjeshtë lajmesh, nga zhvillimet parlamentare në Tiranë e deri në progres-raportet e Komisionit Europian në Bruksel, barometri europian i Shqipërisë duket se po sforcohet në polarizime, qofshin këto politike apo morale. Kam besuar edhe vazhdoj të besoj se nuk mund të presim integrim në Europë, pa pjekurinë politike të bartësve të këtij integrimi, dhe pjekuria politike nuk mund të jetë kurrësesi shkëputja nga integriteti dhe ndjenja kombëtare. Ky moment delikat i gjeopolitikës botërore, Shqipërinë e gjen akoma edhe më të pa përgatitur, me një hemoragji në rritje të trurit (Brain Drain), me breza të rinjsh që politikanët e majtë e të multi-kulturalizmit po përpiqen t’i mbajnë sa më larg politikës e breza të vjetër që i qasen asaj me pragmatizmin ballkanas të të bërit të gjërave. Lajmi i keq është se Shqipëria nuk është e vetme në këtë busull të ç’orientuar identitetesh, vetë Europa po ashtu është futur në këtë ç’orientim (dhe kjo nuk e justifikon aspak Shqipërinë, por duhet të na zgjojë për të bërë dallimin mes asaj që është normale dhe asaj që përpiqen të na e shesin si normale).

Nuk është aspak një teori e re, se Bashkimi Europian duhet të ngrihet sërish në nivelin e idealeve të tij, një teori që e thotë apo së paku e ndjen çdo qytetar gjeografikisht pjesë e Europës apo edhe funksionarë në dyert e institucioneve të këtij bashkimi. Nga ka ardhur kjo ide nuk është vështirë të kuptohet, duke nisur nga diskutimet socio-humanitare mbi imigrimin e deri tek sistemi mbrojtës i Europës, sa për të cilin tani fatkeqësisht mbetet i diskutueshëm. Sa për të parën, duhet parë në dy drejtime, si fillim në aspekt humanitar që për Bashkimin Europian është moralisht e obligueshme të ofrojë strehim, por në të njëjtën kohë duhet thënë se Gjykata e Drejtave të Njeriut në Strasburg është treguar mjaft zemërgjërë në inerpretimin e këtyre të drejtave, pasi po aq sa ç’ka është moralisht e obligushme, madje ca me tepër, është edhe idelogjikisht e ligjërisht e obligushme për këtë bashkim që të ofrojë kufinjë të sigurtë dhe mbrojtje për taksa-paguesit e tij e për europianët e etur për t’u bërë edhe politikisht pjesë e këtij bashkimi. E së dyti çështja mbi imigrimin duhet parë edhe në aspekt racional politik, mbasi mbi të gjitha ushqen politikat globaliste apo multikulturale, që gjithnjë e me pak e përmendin rëndësinë e identitetit kombëtar e individual dhe duan të zhdukin “mendjen nacionale”, e cila në fakt është e rëndësishme për politikën e jashtme të një kombi, duke përcaktuar interesat strategjike dhe rolin ndërkombëtar të tij. Por, duke mbetur në argumentin racional politik, duhet të kemi parasysh esencën e këtij diskutimi dhe të vetë BE-së, demokracinë, e cila nuk duhet kurrësesi të përsërisë sado pak përvojat jo-njerëzore të raporteve shoqërore në mënyrë që të shmangim një neo-fashizëm të mundshëm. Pra, nevojitet një balancë e vështirë po aq sa delikate, që partitë politike në Europë po përpiqen më tepër se kurrë për ta ri-gjetur.

Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nga ana tjetër, bëhet akoma më komplekse përballë kësaj panorame, tregut të propagandës qeveritare që tregëton “kopje të pasaportës shqiptare” fill pas integrimit, në këmbim vote, dhe grupimeve politike në parlamentin Europian. Progress-raporti i Shqipërisë për vitin e fundit, dalë disa ditë më parë nga Komisioni Europian, tha gjithcka dhe asgjë në të njëjtën kohë, qarkulloi lajmi së Shqipëria ka bërë progres (e dyta pas Malit të Zi), por në raport ky progress nuk pasqyrohej askund më tej se formati standard për të shmangur realitetin që qytetarët e këtij vendi shohin, një proces rudimentar drejt Bashkimit Europian, në këtë raport përmendet shumë herë termi “EU acquis” dhe sesi Shqipëria ka bërë disa hapa para e mbrapa drejt tij, prandaj që komisionerët, raportuesit dhe kushdo përgjegjës për të kontribuar në shkrim, kuptohet se janë të vetëdijshëm edhe për rëndësinë e historive të suksesit si determinues i konsiderushëm në barometrin e euro-skepticizmit. Por, për një popull për të cilin anëtarësimi në BE është si epilogu i kaq shumë viteve pluralizëm, premtime të tilla të servirura me ‘shpresë’ janë tepër të dëmshme, jo vetëm në euro-skepticizëm, por edhe në zgjimin e mbrendshëm të gjithësecilit rreth aktualitetit lemeritës ku po jetojmë.

E ky aktualitet është njëkohësisht përgjigja dhe arsyeja, që secili prej nesh duhet t’i thotë e t’i japë vetes në pasqyrën e hipostazisë, ndaj gjithckaje që na rrethon, dhe jo, nuk është më aspak ç’ështje optimizmi apo pesimizmi, por ndërgjegjësim kombëtar për të vendosur një tullë në themelet e shoqërisë shqiptare me sytë nga anëtarësimi, dhe jo një tullë në murin e pathyeshëm që po na ndan dalëngadalë nga vlerat dhe struktura e shoqërisë, si individë, familje, komb, shtet dhe Europë. Të besojmë në ëndrrën europiane, por në Europën e një gjenerate që e kupton nevojën jetike të të lidhurit të krenarisë kombëtare me perspektivën e kohës, dhe rruga drejt asaj ëndrre duhet të jetë e tillë që kushtet konkrete mbrënda kufinjve, të sigurojnë prosperitet dhe mbi të gjitha një pozitë afatgjatë mbrenda Bashkimit Europian.

Artjola Tabaku