Skandal pas tragjedisë së Boeing 787: Familjet e viktimave me eshtra të përziera, nis hetimi ndërkombëtar

Dhimbja e madhe pas rrëzimit tragjik të avionit Boeing 787 të Air India më 12 qershor, që la pas 260 viktima, është thelluar më tej nga një skandal i ri që po trondit familjet e të ndjerëve. Daily Mail raporton se trupat e disa viktimave janë identifikuar gabimisht, duke çuar në një tjetër dramë njerëzore për të afërmit që ende nuk kanë mundur të mbajnë funeralet.
Sipas raportimeve, disa nga familjet britanike që pritën riatdhesimin e trupave të të afërmve të tyre janë përballur me një realitet tronditës: arkivoli që morën përmbante eshtrat e një pasagjeri të panjohur. Një zbulim i tillë u bë i mundur falë analizave të ADN-së të kryera nga Dr. Fiona Wilcox, mjeke ligjore për Londrën Perëndimore, e cila krahasoi mostrat e ADN-së me të dhënat e dorëzuara nga familjarët.
Skandali ka marrë përmasa edhe më shqetësuese pasi u zbulua se mbetjet e disa pasagjerëve ishin përzjerë dhe vendosur në të njëjtin arkivol, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë për t’i ndarë ato dhe për të konfirmuar identitetin përmes testimeve të mëtejshme.
Kjo çështje ka ngritur shqetësime të thella në nivel diplomatik. Një hetim i nivelit të lartë është hapur njëkohësisht në Londër dhe Indi. Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të diskutojë këtë skandal me homologun indian Narendra Modi gjatë vizitës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë.
Në rrëzimin tragjik, që ndodhi rreth 30 sekonda pas ngritjes nga Ahmedabad dhe që kishte si destinacion aeroportin Gatwick në Londër, humbën jetën 52 shtetas britanikë. Disa prej viktimave u dogjën apo varrosën në Indi, ndërsa vetëm një pjesë e mbetjeve mortore është riatdhesuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Avokati britanik Healy-Pratt, i cili po përfaqëson familjet e viktimave, deklaroi:
“Kam kaluar muajt e fundit në shtëpitë e këtyre familjeve të mrekullueshme britanike dhe gjëja e parë që ata duan është të kenë të dashurit e tyre përsëri. Disa prej tyre kanë eshtrat e gabuara dhe janë thellësisht të shqetësuar. Ata meritojnë një shpjegim të plotë.”
Avokati është angazhuar për të rindërtuar me saktësi çdo hap të procesit të nxjerrjes dhe identifikimit të trupave, nga rrënojat e aksidentit e deri në mbërritjen e tyre në territor britanik.