SHBA mbledh gati 100 miliardë dollarë nga tarifat, Thesari sinjalizon objektiva edhe më të larta

Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, ka deklaruar se të ardhurat nga tarifat janë afruar në kuotën e 100 miliardë dollarëve, ndërsa ambiciet për të ardhmen janë edhe më të mëdha.
“Jemi afër arritjes së 100 miliardë dollarëve. Mendoj se mund të arrijmë në 300 miliardë dollarë në vit,” u shpreh Bessent në një intervistë për “Fox Business”, kur u pyet për të ardhurat aktuale nga tarifat.
Edhe pse mbetet e paqartë se për çfarë afati kohor konkret i referohet kjo shumë, sekretari konfirmoi se të ardhurat nga tarifat pësuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor, pa dhënë shifra të detajuara.
Bessent ka përmendur edhe më parë objektivin ambicioz prej 300 miliardë dollarësh deri në fund të vitit, ndërsa ky zhvillim pasqyron një kthesë të rëndësishme në politikat fiskale të SHBA-së dhe ndikimin që mund të kenë tarifat në mbushjen e arkës së shtetit.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur SHBA po rishikon marrëdhëniet tregtare me disa vende dhe po vlerëson politikat doganore si një burim të rëndësishëm të të ardhurave.