Saranda në gjendje alarmi: RENEA, operacionale dhe mungesë kapacitetesh në përballjen me krimin

Në 8 orët e fundit, strukturat policore në Sarandë janë vendosur në gatishmëri të plotë, pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin turistik.

Të gdhirë më 23 korrik, forcat speciale RENEA ndërmorën një operacion të gjerë nga deti dhe toka në zonat periferike të braktisura të qytetit. Qëllimi: kapja e të paktën 5 personave të kërkuar, njëri prej tyre ende i paidentifikuar, të dyshuar për përfshirje në dy ngjarje me përdorim armësh zjarri dhe një tjetër me shpërthim eksplozivi, të ndodhura brenda 5 ditëve të fundit.

Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, automjete civile me efektivë të operacionales së Vlorës u panë duke ndaluar mjete në lëvizje në akset më turistike të Sarandës dhe Ksamilit, në kuadër të kontrolleve të befasishme për kapjen e personave në kërkim.

Ndërkohë, Komisariati i Sarandës po përballet me një sfidë serioze: përballja me elementë të armatosur dhe ngjarje të rënda penale, me një strukturë të vogël e të limituar. Hetimi i veprave të rënda dhe krimit të organizuar tashmë është deleguar Drejtorisë së Policisë së Vlorës, për shkak të mungesës së burimeve lokale.

Burime policore theksojnë se strukturat kundër krimit të organizuar në Vlorë dhe Tiranë kanë më shumë kapacitete: buxhet më të madh, specialistë të trajnuar dhe teknologji të avancuar për survejim, hetim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Ky boshllëk operacional në Sarandë është përkeqësuar nga një vendim i mëparshëm për të ndryshuar strukturën e komisariatit, duke i lënë atij përgjegjësinë për të mbuluar 4 bashki të ndryshme — një barrë e konsiderueshme për një njësi kaq të kufizuar.

Ndërkohë, përqendrimi i efektivëve në trajtimin e ngjarjeve të rënda ka krijuar një boshllëk tjetër: mungesë menaxhimi në çështje të përditshme si trafiku urban, siguria në plazhe dhe konfliktet e vogla, që rrezikojnë të eskalojnë në incidente më të rënda.