SPAK zgjeron dosjen ndaj Erion Veliajt: 60 mijë faqe prova dhe një dëshmi e re befasuese.

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në një dosje voluminoze prej rreth 60 mijë faqesh, e cila përmban prova që SPAK pretendon se mbështesin akuzat ndaj Veliajt dhe 30 të pandehurve të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Një nga dëshmitë më interesante të përfshira në dosjen hetimore është ajo e një efektivi të Policisë së Burgjeve, Fation Baci. Sipas tij, gjatë transportit të Veliajt nga qelitë e Durrësit drejt ambienteve të SPAK në Tiranë, kryebashkiaku i ka kërkuar telefonin për të bërë një telefonatë urgjente.
Sipas deklaratës së Bacit, Veliaj ka komunikuar me një person duke i kërkuar që të kandidojë për deputet për të shmangur hetimet e SPAK, duke përmendur edhe rastin e Agron Malajt:
“Ai i tha personit në anën tjetër të telefonit se duhet të lirohet dhe të kandidojë për deputet, sepse dhe Agron Malaj po kandidon për t’i shpëtuar SPAK-ut,” thuhet në dosjen hetimore.
Ky zhvillim përforcon natyrën e ndërlikuar të hetimeve dhe rëndësinë që po i kushton SPAK kësaj çështjeje.