BE gati të miratojë kodin e praktikës për inteligjencën artificiale: hapi i parë drejt zbatimit të aktit për IA

Bashkimi Evropian pritet të miratojë zyrtarisht më 22 korrik Kodin e Praktikës për inteligjencën artificiale për qëllime të përgjithshme (GPAI), një paketë udhëzuese me karakter vullnetar që synon të ndihmojë kompanitë teknologjike të përshtaten me kërkesat e reja të aktit të inteligjencës artificiale të BE-së.

Burime nga Brukseli konfirmojnë për Euronews se miratimi nga shtetet anëtare dhe Komisioni Evropian do të hapë rrugën për regjistrimin e ofruesve të sistemeve të inteligjencës artificiale, pak ditë përpara se të hyjnë në fuqi dispozitat e para të aktit më 2 gusht.

Kodi është hartuar nga ekspertë të mandatuar nga Komisioni Evropian dhe ka për qëllim të udhëzojë zhvilluesit e modeleve të fuqishme, si ChatGPT i kompanisë OpenAI dhe Gemini i Google, në mënyrë që të jenë në përputhje me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian. Edhe pse regjistrimi në këtë kod është vullnetar, pjesëmarrja në të mund t’u ofrojë kompanive më shumë siguri ligjore, ndërkohë që subjektet që nuk marrin pjesë mund të jenë më të ekspozuara ndaj kontrollit rregullator.

Publikimi i dokumentit, që fillimisht ishte planifikuar për në maj, u shty për shkak të polemikave dhe kundërshtimeve nga industria teknologjike dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Kritikët janë shprehur të shqetësuar se kodi mund të kufizojë hapësirën për inovacion dhe të cënojë pronësinë intelektuale.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian e konsideron këtë kod si një mjet të rëndësishëm për të përgatitur tregun për rregullat më të rrepta që sjell akti për inteligjencën artificiale. Ky akt synon të rregullojë përdorimin e teknologjive të IA-së në bazë të nivelit të rrezikut që paraqesin për individët dhe shoqërinë.

OpenAI ka deklaruar se është gati të angazhohet me kodin sapo ai të miratohet, duke e vlerësuar si një hap pozitiv në drejtim të zbatimit të Planit Evropian për një “kontinent të inteligjencës artificiale”, të shpallur në prill.

Megjithatë, jo të gjithë janë entuziastë. Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve si BEUC dhe qendra për të drejtat digjitale CDT kanë shprehur rezerva. Përfaqësuesi i BEUC, Cláudio Teixeira, e cilësoi kodin si një nismë pozitive, por theksoi se ai nuk duhet të zëvendësojë rregulloret detyruese. Ndërsa Laura Lazaro Cabrera nga CDT Europe vlerësoi përpjekjet e bëra, por vuri në dukje mungesën e masave konkrete për vlerësimin dhe uljen e rreziqeve.

27 vendet anëtare të BE-së pritet të përfundojnë shqyrtimin e dokumentit brenda javës. Nëse gjithçka ecën sipas planit, ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale do të mund të regjistrohen zyrtarisht përpara datës 2 gusht, kur fillon zbatimi i parë i aktit për IA-në në Evropë.