Arsimi dhe karriera në Shqipëri: Një betejë mes realitetit dhe potencialit

Në çdo shoqëri që synon përparimin, arsimi duhet të jetë themeli, ura që lidh brezat me të ardhmen dhe themeli mbi të cilin ngrihen karrierat e qëndrueshme. Por në Shqipëri, kjo urë shpesh duket e krisur, si një monument i mbetur nga një epokë që nuk deshi të rinovohej. Në një vend ku talenti është i bollshëm, por mundësitë shpesh të ngushta, pyetja që ngrihet nuk është “A kemi të rinj të aftë?”, por “A i lejojmë të ngrihen?”
Arsimi shqiptar shpesh funksionon si një institucion që mban frymën e së shkuarës. Në vendet ku arsimi shërben për të formuar qytetarë të lirë, kritikë dhe krijues, tek ne shpesh ai kthehet në një ritual burokratik i pajetë, i mbingarkuar, i politizuar. Programet mësimore nuk ecin me ritmin e kohës, mësuesit janë të lodhur nga një sistem pa motivim, dhe studentët gjenden përballë një zone gri ku teoria nuk gjen dot shtëpi në praktikë.
Kjo nuk është thjesht një mangësi teknike; është një problem civilizues. Sepse, siç e ka theksuar gjithmonë historia, një komb që nuk arrin të modernizojë institutet e tij, humbet jo vetëm të sotmen, por edhe të nesërmen.
Të folurit për karrierën në Shqipëri është të përballesh me dy fytyra të së njëjtës monedhë. Nga njëra anë kemi të rinj punëtorë, të palodhur, të gatshëm të krijojnë, të ndërtojnë, të sakrifikojnë. Nga ana tjetër, kemi tregun e punës që shpesh i pret jo me mundësi, por me pengesa: pagat e ulëta, favorizimet politike, mungesa e meritokracisë, profesionet e mbingopura, dhe shpesh mungesa e tregut real për talentet moderne.
Nuk është rastësi që mijëra shqiptarë çdo vit zgjedhin të ndërtojnë karrierën jashtë vendit. Ata nuk largohen sepse nuk e duan atdheun; largohen sepse atdheu nuk u ofron një rrugë ku mund të ecin me ndershmëri e dinjite
Një nga problemet më të mëdha nuk është vetëm struktura, por mentaliteti. Shpesh në Shqipëri kemi krijuar një kulturë ku diploma vlen më shumë se dija, ku titulli është më i rëndësishëm se aftësia, dhe ku lidhjet personale zënë vendin e përgatitjes profesionale.
Kjo kulturë nuk prodhon inovatorë, nuk prodhon profesionistë, nuk prodhon liderë. Ajo prodhon vetëm zhgënjim.
Dhe sërish, historia e dëshmon se asnjë komb nuk ka ndërtuar prosperitet mbi bazën e improvizimit dhe klientelizmit.
Megjithatë, nuk jemi pa shpresë. Shqipëria ka një aset që shumë kombe do ta dëshironin: rinia e saj. Energjia, kreativiteti, gatishmëria për të rrezikuar janë ndoshta pasuria më e madhe që ne kemi. Por kjo energji duhet kanalizuar, kultivuar, drejtuar.
Reformat në arsim nuk janë luks; janë domosdoshmëri. Meritokracia nuk është ëndërr; është kushti i vetëm që garanton që një shoqëri të mos ngecë në vend. Investimi në karrierë nuk është shpenzim; është kapitalizimi i vetë të ardhmes së komb
Sot Shqipëria gjendet në një moment të ngjashëm me shumë me një pikë kthese ku vendi duhet të zgjedhë midis reformës së nevojshme dhe rehatisë së dëmshme.
Të rinjtë tanë nuk kanë frikë nga puna, por kërkojnë drejtësi, drejtim dhe dinjitet. Dhe nëse këto kushte krijohen, atëherë Shqipëria mund të bëhet jo vetëm një vend ku njerëzit jetojnë, por një vend ku ata duan të ndërtojnë.
Nga Klaus Rama
