NATO përgatitet për të keqen: 800 mijë trupa në rrugët e Hamburgut, Gjermania në qendër të një stuhie ushtarake

Stërvitja “Red Storm Bravo” alarmon qytetarët, ndërsa Europa flet hapur për rrezikun nga Rusia
Nga 25 deri më 27 shtator 2025, qyteti i Hamburgut do të shndërrohet në një skenë reale lufte. Nën hijen e një konflikti të mundshëm me Rusinë, NATO do të zhvillojë në Gjermani një nga stërvitjet më të mëdha të dekadës: “Red Storm Bravo”.
Ky simulim tre-ditor, i cili do të përfshijë lëvizje trupash ditë e natë, parashikohet të mobilizojë deri në 800,000 pjesëmarrës, përfshirë ushtarë, logjistikë civile dhe mbështetje mjekësore. Konvojet ushtarake, tanket, helikopterët dhe spitalet mobile do të qarkullojnë në rrugët e qytetit, duke e kthyer Hamburgun në një qendër strategjike për reagimin e shpejtë të Aleancës në rast të një sulmi ndaj krahut lindor të saj.
“Kërcënimi është real”
Kapiteni i Bundeswehr-it, Kurt Leonards, ka konfirmuar rritjen e tensioneve:
“Po përballemi me sulme të drejtpërdrejta ndaj infrastrukturës. Nga sabotime industriale te spiunazhi dhe plane për vrasje, Rusia nuk po fshihet më.”
Porti i Hamburgut, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, me infrastrukturë të zhvilluar dhe dalje direkte në Detin Baltik, konsiderohet sot porta kryesore për vendosjen e forcave të NATO-s në Evropën Lindore, përfshirë Poloninë dhe shtetet Baltike.
Sipas një raporti të brendshëm të Bundeswehr-it, Rusia nën udhëheqjen e Vladimir Putinit po përgatitet realisht për luftë kundër NATO-s. Alarmi është ngritur edhe nga Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, i cili paralajmëron për një ofensivë të mundshme ruse brenda 4-5 viteve.
Gjermania në prag të një realiteti të ri
Ndërsa shtohen përgatitjet ushtarake, ndryshimet janë të ndjeshme edhe në jetën e përditshme të gjermanëve. Kompanitë e industrisë së mbrojtjes si Rheinmetall kanë shënuar rekorde financiare, me të ardhura që parashikohet të arrijnë 10 miliardë euro në vitin 2024. Ndërkohë, raportet e mediave si Spiegel tregojnë për një rritje dramatike të pasigurisë psikologjike.
Vetëm në vitin 2024, linjat e ndihmës psikologjike në Gjermani morën 1.3 milion thirrje, shumica e të cilave lidhen me frikën nga lufta dhe paqëndrueshmëria globale.
A është fundi i një epoke paqeje?
Në vend të një kujtese të largët për Luftën e Dytë Botërore, sot Gjermania duket se po përgatitet për një realitet të ri, ku lufta nuk është më e pamendueshme. Frika është rikthyer në rrugët e qyteteve dhe siguria nuk është më një e drejtë e garantuar, por një ndjesi që po venitet.
Stërvitja “Red Storm Bravo” është më shumë se një ushtrim ushtarak. Është një mesazh politik, një paralajmërim për të gjithë Evropën: koha e iluzioneve ka përfunduar. Ndërsa qytetarët kërkojnë paqe, gjeneralët përgatisin luftën.