Mos i Shkoni Thethit: Një Thirrje për Paqe e Vetëdije

Nga Dom Vlash Palaj

Një konflikt i rëndë ka shpërthyer në Theth. Më vjen shumë keq për ato njerëzit e thjeshtë, që u mashtruan, u përdorën, u shfrytëzuan, dhe më pas u lanë në mëshirë të fatit. U premtuan gjëra, u nxorën para nga xhepat, dhe tani, jo vetëm që janë tradhtuar, por rrezikojnë të gjobiten e të përfundojnë pas hekurave. Kjo është një tragjedi që duhet të na zgjojë ndërgjegjen.

Faik Konica dikur tha: “E keqja më e madhe e Shqipërisë janë vetë shqiptarët.” Por cilët shqiptarë? Ata që ende nuk kanë mësuar fjalët e jetës, që nuk kuptojnë domethënien e vëllazërisë, bashkëjetesës dhe dinjitetit.

Krishti na mëson: “Nëse ke një konflikt me vëllanë tënd, ulu e flit me të.” Ne jemi pjesë e një kombi, një Shqipërie që për nga përmasat, është si një fshat i vogël. Duhet të kemi guximin të flasim me njëri-tjetrin pa kushte, me respekt e me dashuri për të vërtetën. Edhe nëse tjetri nuk të dëgjon, mos gjyko, mos dëno, mos paragjyko. Nuk jemi ne Zot mbi jetën e tjetrit.

Nëse nuk funksionon përballja e parë, thirr dëshmitarë. Nëse as kjo nuk mjafton, ftoje bashkësinë. Sepse zgjidhja e vërtetë gjendet në dialog, jo në gjykim. Kur edhe komuniteti nuk arrin të ndikojë, vetëm atëherë, mund ta veçosh tjetrin për të ruajtur të mirën e përbashkët. Por kurrë mos bëhu dhunues, kurrë mos u bëj shkaktar i shkatërrimit të jetës së dikujt tjetër.

Në atë realitet të ashpër malor, çfarë shohim? Njerëz që sillen si armiq mes vete. Urrejtje, hakmarrje, mjerim shpirtëror. Dhe tragjikisht, disa nuk kuptojnë se po shkatërrojnë një jetë tjetër – thjesht sepse kanë humbur busullën morale.

Ligji nuk është mbi gjithçka. Ai duhet të qëndrojë në funksion të njerëzores. Kur ligji bëhet armë, atëherë kemi humbur praninë e Zotit. Vëllazëria nuk ndërtohet me ndëshkime, por me mirëkuptim dhe përpjekje të ndershme për të gjetur rrugë të përbashkëta.

Zoti e ndriçoftë mendjen e gjithkujt dhe na ndihmoftë të rritemi në ndërgjegje. Sepse pa një ndërgjegje të lartë kombëtare e njerëzore, nuk do të kemi kurrë paqe.

Kemi shumë plagë nga e shkuara – janë vrarë njerëz për një copë tokë, për një vijë uji, e sot, për disa kabina druri. Po harrojmë se ato kabina janë ndërtuar nga sakrifica, nga shpresa për një jetë më dinjitoze. Dhe pikërisht për këtë, duhet t’i mbrojmë me urtësi, jo t’i shkatërrojmë me inat.

Mos i shkoni Thethit për pushime. Jo për fajin tuaj, por sepse aty nuk do të gjeni paqe – as mendore, as shpirtërore, as fizike. Të padrejtët janë bërë të dhunshëm dhe përpiqen të imponojnë drejtësinë e tyre të rreme. Kujdes prej tyre!

E megjithatë, mos harrojmë të jemi mikpritës me emigrantët, të përqafojmë paqen dhe pushimet t’i kthejmë në kohë reflektimi dhe rigjenerimi të plotë – trup, mendje dhe shpirt.