Kur ka luftë në Lindjen e Mesme, Tiranës i dhemb shpirti… ndoshta edhe më shumë se vetë Lindjes.

Sa herë që ndodh ndonjë krizë diku në botë – në Gaza, në Izrael, në Sudan a kudo tjetër – është si me i rënë ziles së reagimit këtu tek ne. Rrjetet sociale mbushen menjëherë me flamuj, zemra të thyera, statuse me lot dhe analiza gjeopolitike që nuk i bën as CNN-i.Dhe nuk është keq, përkundrazi – është bukur që shqiptarët ndihen me botën. Jemi njerëz që i jetojmë emocionet fort, s’kemi nevojë për shumë që të shpërthejmë në ndjeshmëri. Por ndonjëherë, kjo dhimbje për botën vjen me një harresë të vogël: vetveten.Se ndërkohë, po këtu:– dritat ikin sa herë bie pak shi,
– buka s’ka ndalur së shtrenjtuari,
– një pjesë e mirë e spitaleve janë pa minimumin e duhur,
– të rinjtë shohin më shumë ambasadat se mundësitë brenda vendit.E megjithatë, nuk është se shohim ndonjë zemër të thyer për mungesën e një mjeku apo për ajrin që s’mund të marrësh në qytet. Protestë? Vështirë. Revoltë? Vetëm në rrjet. Edhe ajo më shumë për Lindjen e Mesme se për lagjen tonë.Shpesh flasim me pasion për Tel Avivin apo Gazën, por s’i kemi bërë një pyetje të thjeshtë vetes: “A ka ujë çezma në fshatin tim?” Apo “Kur është hera e fundit që u ndala për të kuptuar pse nuk funksionon gjë këtu?”Nuk është faj, është më shumë një reflektim: ndoshta është më e lehtë të ndjesh dhimbjen e dikujt tjetër sesa të përballesh me tënden. Se dhimbja e vetes të kërkon përgjegjësi, veprim, ndryshim. Kurse dhimbja për botën vjen e shkon… si një postim në “story”.Nuk po themi të mos preokupohesh për botën. Thjesht mos harro që para se të shpëtosh globin, ndoshta duhet të pyesësh: “Ç’po ndodh në shtëpinë time?”

Opinion nga Preng Macaj