Superiore 2024/25: 4 skuadra pa trajner, Teuta në mjegull

Me afrimin e sezonit të ri, 40% e klubeve të Kategorisë Superiore ende nuk kanë zgjidhur çështjen e trajnerit. Tirana, Flamurtari, Bylisi dhe Teuta janë ekipet që aktualisht janë pa emër në stol.
Në Vlorë dhe Ballsh, grupi i lojtarëve ekziston dhe drejtuesit janë më aktivë, por situata më e paqartë është në Durrës. Teuta, ndonëse siguroi qëndrimin në elitë sezonin e shkuar, aktualisht nuk ka as trajner, as staf teknik dhe as formacion të konfirmuar.
Arbër Çyrbja, një nga liderët e skuadrës, foli për “Panorama Sport” dhe dha një panoramë të sinqertë të gjendjes te “djemtë e detit”:
“Ishte një sezon i mirë, duke parë ku ishim. Siguruam mbijetesën me forcat tona dhe kjo flet për karakterin e skuadrës. Mendoj se ky grup duhet ruajtur. Me disa përforcime, mund të jemi pretendentë. Kam besim te drejtuesit, se kanë eksperiencën për të ndërtuar një skuadër fituese.”
Teuta ndodhet në një fazë vendimtare – mes pasigurive dhe shpresës për rilindje. Çyrbja shton:
“Gabimet nuk ishin vetëm të mbrojtjes. Ishte përgjegjësi e të gjithëve. Por Teuta ka treguar edhe më parë se di të ringrihet.”
Me katër skuadra në ajër, merkatoja e verës do të jetë vendimtare për rikthimin e stabilitetit në këto klube. Dhe për Teutën, gjithçka nis me emërimin e trajnerit.