Adoleshenca nën presion: Jemi njerëz, jo robotë!

Ka ditë kur shkoj në shkollë dhe ndjej sikur po hyj në një godinë që më kërkon vetëm të rri drejt, të hesht dhe të bindem. Jo si nxënëse, por si një robot që s’duhet të gabojë. E kush s’gabon në këtë moshë?
Adoleshenca është një periudhë e çuditshme. Njëherë ndihesh e fortë, të nesërmen e thyeshëme si qelq. Ke ditë kur nuk e di pse je e mërzitur. Ke raste kur ndihesh bosh, por nuk mund ti thuash askujt, sepse s’do të kuptojnë. Do të thonë: “Ti s’ke pse ankohesh, vetëm shkollë ke.”
Shumë nga ne kalojmë debate të forta me veten – për trupin tonë, për identitetin, për çfarë duam të bëhemi, për pritshmëritë që të gjithë kanë ndaj nesh. Të quajnë problematik nëse shprehesh, rebel nëse proteston, të pabindur nëse nuk sheh jetën si ata.
Po ne nuk jemi rebelë. Ne jemi njerëz që po rritemi. Që kemi frikë, pyetje, ndjenja që nuk i dimë si t’i shprehim. Dhe duam vetëm një vend ku të ndihemi të sigurt. Ku të kemi të drejtën të mos jemi mirë ndonjëherë, pa na parë shtrembër. Nuk është turp të jesh në krizë. Është pjesë e rritjes.
Do të donim që shkolla të mos ishte vetëm për mësime. Të ishte edhe për ne. Të kishte më shumë dëgjim, më pak etiketa. Më shumë zemër, më pak fletë paralajmërimi.
Nuk kërkojmë të na trajtojnë si të veçantë. Vetëm si njerëz.
Oponion nga Greta Daja