Marrëveshja për ndërtimin e urave mbi Ibër, Kurti: Ura që bashkojnë qytetin

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së financimit midis Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se projekti do të kontribuojë në bashkimin e qytetit dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Dy ura të reja që lidhin dy anët e lumit Ibër – ura që bashkojnë jo vetëm territorin, por edhe qytetin, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave,” ka shkruar Kurti.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ky projekt synon krijimin e një mjedisi urban më të lidhur, funksional dhe të jetueshëm për të gjithë banorët. Ai ka shton se urat do të luajnë një rol kyç në përmirësimin e qarkullimit rrugor në të dy komunat, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve të anëve të ndryshme të lumit. Sipas tij, infrastruktura e re do të ketë ndikim pozitiv jo vetëm në aspektin social, por edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.