Gjermania njofton pako të re ndihme ushtarake për Ukrainën, por refuzon raketat Taurus

Kiev, 12 qershor 2025 – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, konfirmoi sot nga kryeqyteti ukrainas se Qeveria Federale e Gjermanisë po përgatit një pako të re ndihme ushtarake për Ukrainën, në një kohë kur Rusia ka shtuar intensitetin e sulmeve në lindje të vendit.
Sipas Pistorius, 1.9 miliardë euro ndihmë shtesë do të miratohen së shpejti nga Parlamenti gjerman, duke e çuar totalin e ndihmës për vitin 2025 në afro 9 miliardë euro. “Paketa e re nuk është finalizuar ende, por punohet në të. Fondet do të jenë të qasshme në javët në vijim”, u shpreh ai gjatë një konference për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kjo mbështetje përfshin edhe investime në një projekt të përbashkët për prodhimin vendas të armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, nën mbështetjen teknike dhe financiare të Gjermanisë.
Raketat Taurus mbeten jashtë diskutimit
Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Kievi dhe presionit ndërkombëtar, Berlini vazhdon të refuzojë dërgimin e raketave të avancuara gjermane “Taurus”, të cilat kanë një rreze veprimi mbi 500 kilometra. Këto armë do t’i jepnin ushtrisë ukrainase kapacitet për të goditur objektiva të thellë në territorin rus.
Ndërkohë që kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, është shprehur më herët në favor të dërgimit të raketave Taurus, nuk ka pasur ndryshim zyrtar të politikës që nga marrja e mandatit muajin e kaluar. Ai ka zgjedhur të mos komentojë më tej, duke iu përmbajtur një linje të ashtuquajtur “paqartësi strategjike”.
I pyetur direkt për këtë çështje, ministri Pistorius ishte i prerë: “Përgjigjja ime është jo.”