Tragjedi në Indi: Avioni i Air India bie mbi ndërtesë në Ahmedabad, mbi 260 të vdekur

Një tragjedi ajrore ka goditur Indinë, teksa një avion pasagjerësh i linjës Air India, me destinacion Londrën, u rrëzua pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar një bilanc tragjik prej më shumë se 260 të vdekur, përfshirë pasagjerë dhe qytetarë në tokë.Kapiteni i fluturimit AI171, Sumit Sabharwal, lëshoi një thirrje alarmuese:
“Mayday! Pa shtytje, po humbasim fuqinë, nuk mund të fitojmë lartësi”, vetëm sekonda para se avioni të përplasej në një ndërtesë në qytetin Ahmedabad. Pas këtij paralajmërimi dramatik, nuk pati më asnjë komunikim nga kabina drejt kullës së kontrollit.Sipas të dhënave zyrtare, avioni Boeing 787-8 Dreamliner mbante në bord 242 persona (230 pasagjerë dhe 12 anëtarë ekuipazhi). Mjeti ajror u përplas në një ndërtesë ku ishin strehuar mjekë dhe punonjës shëndetësorë pranë aeroportit Sardar Vallabhbhai Patel. Deri më tani, autoritetet kanë konfirmuar 260 të vdekur, duke përfshirë edhe viktimat në tokë. Një pasagjer, shtetasi britanik 39-vjeçar Vishwash Kumar Ramesh, u gjet i gjallë në sediljen 11A dhe është duke u trajtuar në spital.Dyshimet fillestare: Përplasje me zogj apo gabim teknik?Ekspertët kanë filluar analizat për të përcaktuar shkakun e katastrofës. Një pistë e mundshme është përplasja e avionit me një tufë zogjsh gjatë ngritjes, gjë që mund të ketë dëmtuar motorët dhe reduktuar fuqinë shtytëse. Ish-piloti Saurabh Bhatnagar theksoi se rënia e fuqisë brenda pak minutave pas ngritjes është tipike për raste të tilla.Ndërkohë, analistët teknikë po shqyrtojnë edhe mundësinë e një gabimi në rregullimin e fletëve (flaps), pasi pamjet e rrëzimit sugjerojnë një konfigurim të parregullt të avionit: fletët e tërhequra dhe ingranazhet e uljes ende të shtrira. Kjo mospërputhje me protokollet standarde mund të ketë çuar në humbjen e mbështetjes aerodinamike.Specialistë si Marco Chan nuk përjashtojnë gabimin njerëzor, por e konsiderojnë gjithashtu të mundur që disa faktorë të kenë kontribuar së bashku në fatkeqësi.