Gjuha shqipe dhe rëndësia e saj

Gjuha është tipari kryesor i mbijetesës së një populli, pasi më shumë se çdo gjë tjetër, ajo është e veçanta që e dallon një popull nga të tjerët. Historia na ka treguar se sa e sa qytetërime e popuj të mëdhenj kanë humbur në mjegullën e kohës e janë asimiluar nga të tjerët. Ne si shqiptarë, siç dihet, nga vetë pozicioni gjeografik, rrethanat historike, jemi pushtuar nga perandori të mëdha të çdo kohe, jemi përballur me dyndje popujsh, jemi rrudhur si etnitet,e megjithatë në një farë mënyre kemi ruajtur identitetin tonë. Mund të kishim pasur edhe ne fatin e atyre popujve…
Natyrshëm lind pyetja: Përse kemi mbijetuar?
Mendoj se ajo që na ka shpëtuar ka qenë gjuha. Dihet se shqipja është një gjuhë e veçantë e familjes së madhe indoevropiane, por nuk ka lidhje prejardhjeje me asnjë nga këto gjuhë. Ajo rrjedh nga ilirishtja e cila së bashku me greqishten e trakishten, janë tri gjuhët më të vjetra evropiane. Është pikërisht kjo gjuhë e veçantë, që na e kanë dhuruar brezat, ajo që na ka ruajtur nga zhdukja, ndaj dhe mbrojtja e vlerave të saj duhet të jetë përgjegjësi për secilin prej nesh. Të mburresh para të tjerëve duke iu treguar lashtësinë dhe origjinën; të bësh shqiponjën me duar është gjëja më e lehtë që mund të bësh, madje deri diku dhe qesharake. Nga ana tjetër kudo në media, institucione edhe në ato arsimore si shkollat sheh një shqipe të shtrembëruar, të tejmbushur me gabime drejtshkrimore e me fjalë të huaja të përdorura vend e pa vend.
I kemi shpëtuar zhdukjes nga popuj të mëdhenj, por këtij “pushtimi modern” a do t’i shpëtojmë dot vallë? Kjo është koha e duhur për t’u përballur me të vërtetën e për të vepruar.
Shkrim kritik – Endi Bashaj