Masakra ndaj Mirditorëve

Ka ditë që nuk i harron asnjë brez. Janë ditë të zeza, të ngjizura me gjakun e të pafajshmëve, që s’të lejojnë as të kthesh kokën mënjanë. 17 gushti i vitit 1949 është një nga ato ditë. Një ditë kur shteti i asaj kohe nuk ishte më shtet, por një bishë që shkelte mbi trupat e qytetarëve të vet, duke dashur t’u shuante frymën vetëm sepse kishin guximin të mos e pranonin verbërisht diktaturën.

Mirdita, krahina e burrërisë, u bë skena e një shfaqjeje të përbindshme. Katër burra të varur, dhjetë të pushkatuar, qindra familje të internuara. Jo për drejtësi, jo për ligj, por për hakmarrje. Për të mbjellë frikë. Për të thyer shpirtin e një krahine që nuk i ishte nënshtruar kurrë. Dhe mbi atë terr, u ndërtua një regjim që i vuri shqiptarët kundër shqiptarëve, përmes plumbit, internimit dhe përçarjes.

Por ja ku jemi sot. Mirdita nuk u shua atë ditë, as nuk u përkul. Ashtu siç nuk u shua Shqipëria, edhe pse për dekada u rropat në varfëri e në frikë. Ajo që na takon sot nuk është thjesht të përkujtojmë, duke vendosur kurora me lule e duke bërë homazhe një ditë në vit. Ajo që na takon është të mos lejojmë harresën të bëhet pjesë e kulturës sonë politike. Sepse harresa është më e rrezikshme se kujtesa. Harresa është ftesë për rikthim.

Dhe po e them troç: ka ende sot, në vitin 2025, pinjollë të atij mentaliteti që guxojnë të relativizojnë krimet e komunizmit. Që guxojnë të na shesin dhunën si “nevojë të kohës”, e pushkatimet si “gabime historike”. Jo! Ato nuk ishin gabime. Ato ishin krime. Krime kundër njeriut. Krime kundër Shqipërisë. Dhe kushdo që tenton t’i lëmojë, është pjesë e të njëjtit zinxhir turpi.

Prandaj, sot, kur kujtojmë Masakrën e Mirditës, nuk është vetëm një përkulje përpara kujtimit të atyre burrave. Është një betim për të mos e lejuar më kurrë dhunën të bëhet politikë, frikën të bëhet ligj, dhe padrejtësinë të bëhet shtet. U prehshin ne paqe! ✝✝✝

1. Ded Preng Gjomarkaj-Orosh, varet në litar.

2. Pjetër Ded Vila-Kaçinar, varet në litar.

3. Dodë Mark Biba-Tenë, varet në litar.

4. Dod Llesh Paloka-Kaçinar, varet në litar.

5. Nikollë Bardhok Bajraktari-Rrëshen, pushkatohet.

6. Llesh Gjon Melyshi-Malaj, pushkatohet.

7. Nikoll Llesh Bajraktari-Orosh, pushkatohet.

8. Ndrecë Mark Ndoj-Kaçinar, pushkatohet.

9. Bardhok Dodë Gjini-Prosek, pushkatohet.

10. Gjin Gjok Kaçi-Bukmirë, pushkatohet.

11. Gjergj Beleshi-Kthellë e Epër, pushkatohet.

12. Ndoc Gjet Cupi-Blinisht, pushkatohet.

13. Preng Shkurt Nikolli-Orosh, pushkatohet.

14. Frrok Mata-Kaçinar, pushkatohet.

Preng Macaj