Papa Leoni është drejt përplasjes me katolikët MAGA, por JD Vance mund të ndërtojë urën mes tyre

Gati 1600 vjet më parë, një ipeshkëv 75-vjeçar i varfër ndërroi jetë në një qytet të rrethuar, të mbushur përplot me refugjatë.
Mund të mos ketë ndonjë lidhje të dukshme mes Shën Augustinit të Hiponës dhe Donald Trump-it, por në mënyrën misterioze të historisë, ngjitja e Papa Leonit XIV në Selinë e Shenjtë nënkupton se marrëdhënia mes administratës amerikane dhe Vatikanit mund të ndikohet nga shenjti filozof i shekullit V.
Në shikim të parë, kjo marrëdhënie duket e destinuar të jetë e tensionuar: dallimet etike mes dy palëve janë të thella.
Megjithatë, Papa Leoni, si paraardhësit e tij, ndan disa pikëpamje të përbashkëta me republikanët e Trump-it. Të dy kundërshtojnë abortin dhe ideologjinë gjinore. Të dy e vlerësojnë familjen bërthamë si shtyllën e shoqërisë. Dhe ka katolikë në nivelet më të larta të administratës së Trump-it, përfshirë Marco Rubio-n, sekretarin e shtetit; Melania Trump-in, zonjën e parë; dhe natyrisht JD Vance-n, zv/presidentin, i cili u konvertua nga ateizmi në katolicizëm vetëm në vitin 2019. Në fakt, një e treta e kabinetit të Trump-it përbëhet nga katolikë.
Dhe tani, për herë të parë në dy mijëvjeçarë, kemi një Papë amerikan. Një prift nga Çikago, Illinois, brenda një dite kaloi nga një Kardinal i panjohur në pasardhësin e Shën Pjetrit.
Prandaj, sapo Papa Leoni u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, Trump e quajti një “nder të madh” që kemi “Papën e parë nga Amerika”. Administrata e tij ka çdo të drejtë të shohë diçka të mrekullueshme në atë fakt të thjeshtë.
Por dallimet e Papa Leonit me Uashingtonin mund të rëndojnë më shumë se çdo gjë tjetër. Në fund, mospajtimi i tyre qëndron në një pikëpamje thelbësisht të kundërt për shtetin-komb.
Administrata Trump e vlerëson identitetin kombëtar dhe sovranitetin. Për ta, “Amerika e Para” do të thotë të mbrosh atdheun nga çdo rrezik, përfshirë edhe përmes fushatave të deportimit masiv për të larguar emigrantët e paligjshëm dhe ndërtimit të mureve për të ndalur të tjerë që të hyjnë.
Kjo, nga ana tjetër, pasqyron idenë se qeniet njerëzore kanë një hierarki detyrimesh, me familjen në krye dhe pjesën tjetër të botës në fund. “Ti e do familjen tënde, pastaj fqinjin, pastaj komunitetin, dhe pastaj bashkëqytetarin në vendin tënd,” tha Vance në shkurt. “Dhe vetëm pas kësaj, mund të përqendrohesh dhe të japësh përparësi pjesës tjetër të botës.”
Ai theksoi se kjo ide e një hierarkie nuk është arbitrare apo intuitive, por e bazuar në etikën e krishterë, në veçanti konceptin e ordo amoris ose “rendit të dashurisë”, që i atribuohet zakonisht Shën Tomas Akuinit.
Por Papa Leoni me shumë gjasa do ta shohë ndryshe këtë çështje. Po, ai ka lindur në Çikago dhe e nisi shërbesën e tij në SHBA, por më pas zgjodhi të marrë shtetësinë peruane. Për të, lindja në Amerikë nuk e përjashton identifikimin me një komb tjetër, duke krijuar kështu një hendek filozofik mes tij dhe traditës politike të Trump-it.
Tani, Papa Leoni udhëheq një Kishë universale që synon të tejkalojë shtetin-komb. Si mund të përputhet kjo me idenë që kufijtë kombëtarë të vendosur në mënyrë arbitrare krijojnë një hierarki detyrimesh mes njerëzve?
Nuk është për t’u habitur që tashmë ka prova se Papa Leoni do ta ndjekë paraardhësin e tij dhe do të kundërshtojë publikisht Trump-in për çështjet e emigracionit.
Kur Papa i ri ishte thjesht kardinali Robert Prevost, ekzistonte një llogari në X në emrin e tij; shpeshherë postimet e saj kritikonin politikat e Trump-it, ndonëse duke ripostuar qëndrimet e të tjerëve.
Pak pas deklaratës së Vance-it mbi detyrimin e krishterë, llogaria e Prevostit shpërndau një artikull nga National Catholic Reporter me titullin: “JD Vance e ka gabim: Jezusi nuk na kërkon të rendisim dashurinë për të tjerët.”
Më herët, në vitin 2017, llogaria e kardinal Prevostit kishte shpërndarë një postim në mbështetje të emigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në SHBA si fëmijë dhe njihen si “Ëndërrimtarët” (Dreamers). Mesazhi lexonte: “Qëndroj me Ëndërrimtarët dhe me të gjithë ata që punojnë për një sistem emigracioni të drejtë, të ndershëm dhe moral.”
Është e lehtë të imagjinohet një Papë me këto opinione duke kritikuar publikisht të gjithë qasjen e Trump-it ndaj emigracionit, edhe nëse kjo tensionon marrëdhëniet mes Amerikës dhe Vatikanit.
Papa Françesku zemëroi shumë katolikë MAGA duke dënuar agjendën e Trump-it.
Ai e denoncoi planin e Trump-it në mandatin e tij të parë për të ndërtuar një mur në kufi me Meksikën si “jo të krishterë”, gjë që e shtyu Trump-in ta quante ndërhyrjen e Papës “të turpshme”.
Por, pavarësisht tensioneve mes Trump-it dhe Papës së mëparshëm, faktet sugjerojnë se baza e MAGA-s ishte edhe më e zemëruar me Vatikanin. Kur Papa Françesku ndërroi jetë, disa festuan hapur vdekjen e tij.
“E keqja po mposhtet nga dora e Zotit,” shkroi Marjorie Taylor Greene, një anëtare republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, në X pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
“Shumë katolikë praktikantë amerikanë të krahut MAGA do ta shohin presidentin Trump, dhe jo Papën, si udhëheqësin e tyre politik dhe madje edhe shpirtëror, dhe me të drejtë,” thotë Benjamin Harnwell, i cili dikur punonte për Steve Bannon-in, ish-strategun kryesor të Trump-it. Nëse është kështu, qendra e fuqisë shpirtërore për shumë katolikë MAGA mund të jetë zhvendosur nga Vatikani në Pennsylvania Avenue.
Gati të gjithë priftërinjtë katolikë të shuguruar në SHBA gjatë pesë viteve të fundit e përshkruajnë veten si të moderuar ose konservatorë, krahasuar me gjysmën e homologëve të tyre nga vitet 1960 që e quanin veten liberalë politikisht, sipas një studimi nga Universiteti Katolik i Amerikës.
Por ka një faktor të ri dhe krejt të papritur. JD Vance ia atribuon konvertimin e tij nga ateist në katolik pjesërisht frymëzimit nga Shën Augustini. Te “Qyteti i Zotit”, vepra më e famshme e tij e filozofisë së krishterë, Shën Augustini dënon një shoqëri ku “çdo njeri kërkon të rrisë pasurinë për të përmbushur shthurjen e përditshme, dhe që të pushtetshmit të nënshtronin të dobëtit.”
Vance e përshkroi këtë pasazh si “kritika më e mirë ndaj epokës moderne që kam lexuar ndonjëherë”, duke theksuar boshllëkun e një shoqërie “që orientohet tërësisht drejt konsumit dhe kënaqësisë, duke përçmuar detyrën dhe virtytin.” Vështrimi etik i Shën Augustinit e shtyu drejt katolicizmit.
Ndërkohë, Papa i ri u shugurua në moshën 20-vjeçare në Urdhrin e Shën Augustinit dhe më vonë shërbeu si Prijësi i tij. Në mënyrat e tyre të ndryshme, zv/presidenti i SHBA dhe Papa Leoni janë të dy ithtarë të shpallur të Shën Augustinit.
Edhe nëse Papa do të dënojë politikën amerikane për emigracionin, faktet sugjerojnë se Vance, të paktën, mund të jetë i rezervuar për t’iu kundërvënë. Në esenë e tij përse u bë katolik, Vance shkruan se dikur e pyeti një “shkrimtar katolik konservator” për kritikën që ky i fundit i kishte bërë Papa Françeskut.
Vance shton: “Po formohet tek unë bindja se shumë katolikë amerikanë nuk tregojnë respektin e duhur për papatin, duke e trajtuar Papën si një figurë politike që duhet kritikuar ose lavdëruar sipas dëshirës.”
Pavarësisht ndryshimeve filozofike mes tyre, Vance do të jetë i prirur natyrshëm të tregojë ‘respekt’ ndaj Papa Leonit. Por kongregacioni MAGA katolik mund të ketë një mendim tjetër.
Dhe respekti, natyrisht, nuk është i njëjtë me nënshtrimin, e aq më pak me pajtimin.
Por ekziston mjaftueshëm terren i përbashkët mes dy augustinianëve amerikanë, të cilët papritur gjenden në Shtëpinë e Bardhë dhe në Vatikan në të njëjtën kohë, që të ketë një dialog filozofik të sinqertë mes tyre. Ky element i ri mund të frenojë tensionet e hapura mes administratës amerikane dhe papatit.
Shën Augustini vdiq në vitin 430 pas Krishtit, pak para se vandalët të kapnin dhe shkatërronin Hiponën në provincën romake të Numidisë. Ajo ishte një përplasje që as ai nuk mundi ta ndalte. Por fjalët dhe mendimet e tij, nga një mijëvjeçar e gjysmë më parë, mund të kenë sot një shans për të ndërtuar një urë mes Vatikanit dhe Shtëpisë së Bardhë. / The Telegraph