Papunësia dhe mungesa e mundësive – rrëfimi i një të riu shqiptar

Unë jam pjesë e brezit të ri në Shqipëri, një brez që shpesh përmendet si “shpresa e së ardhmes”, por që në të vërtetë ndihet gjithnjë e më shumë i zhgënjyer nga e tashmja. Pas shumë viteve studimi, mundi, kursesh private, netësh pa gjumë dhe shpresash të mëdha, realiteti me të cilin përballemi ne sot është papunësia dhe mungesa e mundësive.
Shumë nga ne jemi rritur me idenë se nëse studiojmë fort, nëse investojmë te vetja, nëse ndjekim ëndrrat tona, atëherë do të kemi mundësi të ndërtojmë një jetë të qëndrueshme në vendin tonë. Por, sapo del nga bankat e universitetit, përballesh me një mur të lartë: një treg pune të ngushtë, të padrejtë dhe shpesh të politizuar. Pothuajse çdo konkurs pune shoqërohet nga dyshimi: “A do të fitojë ai që e meriton, apo ai që ka lidhje, miq dhe lekë?” Dhe kjo është ndoshta plagë më e madhe sesa vetë mungesa e vendeve të punës, sepse të vret besimin dhe motivimin.
Në Shqipëri, papunësia nuk është thjesht statistikë, është realitet i përditshëm. Është ai momenti kur dërgon dhjetëra CV dhe nuk merr përgjigje. Është ai çasti kur të thonë “duam eksperiencë pune” edhe pse sapo je diplomuar, si do të jetë e mundur të kesh eksperiencë pa pasur një shans fillestar. Është ajo ndjesia e hidhur kur pranon një punë vetëm për të mbijetuar, edhe pse nuk ka lidhje me profesionin tënd, dhe paguhesh më pak sesa vlen mundi yt.
Shumë shokë e shoqe të mi kanë zgjedhur rrugën e emigrimit. Disa janë larguar për studime dhe nuk kanë ndërmend të kthehen, sepse atje kanë gjetur më shumë respekt për dijen e tyre. Të tjerë kanë shkuar si punëtorë sezonalë dhe kanë vendosur të qëndrojnë, sepse edhe një punë modeste jashtë shpërblehet më shumë se një profesion i lodhshëm këtu. Dhe nuk i gjykoj. Në fund të fundit, secili prej nesh ka të drejtë të kërkojë një jetë më të mirë. Por kur sheh se brezi yt po boshatiset, kur sheh se rinia që duhej të ndërtonte të ardhmen e vendit po ikën, ndjen një boshllëk dhe një frikë të madhe për fatin e Shqipërisë.
Është e dhimbshme të pranosh se shpesh ne nuk largohemi nga vendi për ëndrra më të mëdha, por thjesht për nevojën më bazike: të kemi një vend pune dinjitoz, një pagë që të na lejojë të jetojmë normalisht, një mundësi për të ecur përpara pa pasur nevojë për miqësi e ndërhyrje. Unë besoj se Shqipëria ka potencial të madh. Ne kemi njerëz të zgjuar, të rinj me ide, kemi energji, kemi dëshirë për të ndryshuar. Por na mungon mbështetja. Universitetet tona nuk na lidhin me tregun e punës. Politikat e shtetit për të rinjtë janë shpesh vetëm slogane nëpër fushata. Mundësitë për sipërmarrje janë të kufizuara, sepse burokracia dhe mungesa e fondeve e bëjnë pothuajse të pamundur hapjen e një biznesi nga një i ri pa mbështetje financiare.
Por pavarësisht këtyre vështirësive, unë nuk dua ta shoh të ardhmen time vetëm në errësirë. Dua të besoj se ndryshimi është i mundur. Dua të besoj se mund të kemi një Shqipëri ku meritokracia të vlerësohet, ku një i ri të ketë mundësi të punojë për atë që ka studiuar, ku puna të mos shihet si privilegj, por si e drejtë e çdo qytetari.
Ky nuk është vetëm shqetësimi im personal, është zëri i qindra mijëra të rinjve që sot ndihen të lënë pas dore. Ne nuk kërkojmë luks, nuk kërkojmë favore, ne kërkojmë vetëm një shans të ndershëm. Një vend pune ku të mund të shfaqim aftësitë tona, një pagë që të na mundësojë të ndërtojmë jetën tonë këtu dhe jo të shohim përherë nga larg si zgjidhje e vetme.
Unë dua që vendi im të bëhet shtëpia ku ia vlen të qëndrosh. Dua të kem mundësinë të them me krenari: “Po, ia vlen të jetosh dhe të punosh në Shqipëri”. Por kjo nuk është vetëm dëshira ime, është një thirrje për të gjithë ata që kanë fuqinë të ndryshojnë këtë realitet. Sepse nëse ne të rinjtë vazhdojmë të largohemi, atëherë kush do ta ndërtojë të ardhmen e këtij vendi?
Shkrim kritik – Ersi Qazolli