Inteligjenca Artificiale shikon nga qielli: A do ta zëvendësojë IA meteorologjinë tradicionale?

Nga reshjet e befasishme te valët përvëluese të të nxehtit, parashikimi i motit është kthyer në një mjet jetik për jetën moderne. Tani, në këtë sfidë po hyn edhe Inteligjenca Artificiale, duke premtuar parashikime më të shpejta dhe më të sakta se kurrë më parë.
Modelet e reja të parashikimit të motit të krijuara nga gjigantët e teknologjisë – si GraphCast i Google dhe Aurora e Microsoft – nuk bazohen në formula fizike si më parë, por në miliarda të dhëna historike, duke analizuar tendenca të motit me një laptop të zakonshëm, në pak sekonda.
Ndryshe nga superkompjuterët që kërkojnë orë të tëra dhe fonde marramendëse, IA ofron efikasitet dhe kosto minimale. Dhe në disa raste, ka dalë më e saktë se modelet tradicionale – veçanërisht për matjen e presionit atmosferik.
Por a është gjithçka kaq perfekte?
Ekspertët paralajmërojnë se IA ende e ka të vështirë të kapë fenomenet ekstreme, si stuhitë lokale apo reshjet intensive. Teknologjia ka vështirësi me parashikimin e ngjarjeve të rralla, si shpërthimet vullkanike apo ndryshimet e menjëhershme klimatike.
Prandaj, e ardhmja shihet në një bashkëpunim mes fuqisë analitike të IA-së dhe saktësisë shkencore të modeleve tradicionale. Një partneritet që mund të ndryshojë mënyrën si përgatitemi për një klimë gjithnjë e më të paparashikueshme.
Në kohët e sotme, parashikimi i motit nuk është më luks – është mbijetesë. Dhe edhe teknologjia më e zgjuar, duket se ende ka nevojë për një parashikim me… mendje të ftohtë.