Opinion nga Preng Macaj: Rubiku çka qenë, ç’është, ç’do bëhet?!

Rubiku ka qenë një vatër. E punës, e njerëzve të thjeshtë, e dinjitetit të heshtur. Një cep i vendit që ngrinte kokën mes maleve, me kishën lart si roje shpirtërore dhe zhurmën e minierave poshtë si zemër ekonomike.
Sot, Rubiku është heshtje. Një qytet që flet pa zë. Me fushë futbolli pa tribunë, me të rinj që vrapojnë pas një topi e pastaj pas një autobusi për në BE. Është aty, mes jeshiles dhe harresës, si një pikturë që po zbehet.
Ç’do bëhet? Asgjë, nëse vazhdojmë të flasim për zhvillim vetëm në panele televizive dhe jo në lagjet e harruara. Rubiku nuk do ndihmë. Rubiku do vëmendje. Do plan. Do njeri që e sheh si pjesë të trupit të këtij vendi, jo si bisht të prerë që rri pezull në hartë.
Rubiku s’mund të rrijë më në dorë të fatit. Fati ka punë të tjera. /Opinion nga Preng Macaj