Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, miratohet me 79 vota pro rezoluta e PS! PD bojkoton: Nuk ishte në rend dite

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i kërkon qeverisë që të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Gardën Revolucionare të Iranit, dy prej organizatave më famëkeqe të regjimit iranian.
Rezoluta dënon sulmet kibernetike të Iranit kundër institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ai ndaj Kuvendit, dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet, si edhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Partia Demokratike, e cila mungoi në seancë për shkak se nuk ishte njoftuar që seanca do të kishte në rend të ditës rezolutën, e cila u caktua nga Konferenca e Kryetarëve vetëm 1 orë para seancës, menjëherë pas miratimit të saj doli me një deklaratë politike.
“Partia Demokratike e Shqipërisë e shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob”, thuhet në deklaratë.
Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës, duke thënë se ajo nuk qëndroi krah SHBA-së dhe BE-së në një moment solemn, por zgjodhi interesin e javës për një protestë pa krye, të thirrur më 22 mars.
“Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, që nuk ditën që, në një moment solemn, të një qëndrimi urgjent të Shqipërisë krah SHBA-së, BE-së dhe plot vendeve të tjera, përkrah Britanisë, të dilnin sot mbi interesin e vogël të javës, të njoftuar për një tjetër protestë pa krye”, thuhet në deklaratë.
Për dy deputetët opozitarë në sallë, Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë, që abstenoi, dhe Erald Kapri i partisë Mundësia, i cili bashkoi votën me PS-në, rezoluta është hipokrizi.
“Ne e kemi denoncuar represionin e shtetit iranian, por, që të jemi seriozë, do të duhej që, para se të paraqisnit këtë rezolutë, të kishit miratuar rezolutën që dënon gjenocidin serb ndaj Kosovës”, tha Redi Muçi.
“Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore dhe do të sillej si e tillë para se të sillte rezoluta servile si kjo, që kanë vlerë vetëm për t’i thënë botës se Shqipëria është pjesë e Perëndimit, por ne e kuptojmë që është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që do të ndodhë së shpejti”, tha Kapri.
Në vjeshtën e vitit 2022, Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare.
